Fjalët e autorit:
As shokët dhe familja e tij s'duhen harruar
as ensarët e tabinët e udhëzuar
Të gjithë ata Allahu i ka lavdëruar
E më pas i Dërguari lëvdatat ka përforcuar
Kjo është një thirrje për të mos harruar vlerën e tyre. Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar duke thënë: "Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej emigruesve (muhaxhirëve) dhe prej vendasve ndihmëtar (ensarëve); edhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira; edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhenete, nën të cilët rrjedhin lumej, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh." Teubeh 100.
Ndërsa lavdërimi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjendet në fjalën e tij: "Mos i përbuzni shokët e mi! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të shpenzojë (në rrugën e Zotit) një pirg ari të madh sa mali i Uhudit, ai nuk do të jetë i barabartë as edhe me një grusht të dhënë prej tyre apo as gjysma e tij (grushtit)." Mutefekun alejh.
Autor: Taha Shejbani
Komentoi: Husein es Serraxh
Burimi i Jetës - 2007