APARATI I TRETJES

. Posted in Shendeti.

Pin It

I sëmuri me probleme në aparatin e tretjes, në muajin e Ramazanit

Muaji i Ramazanit quhet me të drejtë, muaji i pushimit për aparatin tretës, por për fat të keq, shumë prej nesh e ngopin barkun me ushqime të shumëllojshme në ngrënien e Iftarit, duke e kthyer kështu lumturinë e stomakut dhe të zorrëve në ngopje dhe vuajtje për të. Në vijim po përmendim sëmundjet më të rëndësishme të aparatit tretës që kanë lidhje me agjërimin:

– Ulçera e stomakut dhe e duodenit. I sëmuri me ulçër akute në stomak vuan nga dhimbjet në stomak kur uritet, madje disa dhimbje e zgjojnë nga gjumi. Këto dhimbje pakësohen kur ha ushqim, megjithëse pas disa orësh, dhimbjet rikthehen. Prej këtu, të sëmurët me ulçër, që përfshihen në njërën prej tre kategorive të mëposhtme, nuk duhet të agjërojnë:

a) Ulçera akute: kur i sëmuri ankohet nga simptomat e ulçerës, si dhimbjet nga uria, apo dhimbjet qe e zgjojnë nga gjumi. Po kështu në rastet kur ndodh krizë akute te i sëmuri me ulçer kronike, as në këtë rast nuk duhet agjëruar. Edhe në rastet kur ndodhin rëndime të gjendjes si: gjakderdhje e aparatit tretës, apo kur ulçera vazhdon të mos mbyllet megjithëse i sëmuri e ndjek rregullisht kurimin me ilaçe.

b) Vështirësia në tretje: kjo është një shprehje e përhapur që përfshin një sërë simptomash që pasojnë ngrënien e ushqimit, si dhimbjet e barkut, gazrat e barkut, gogësimën, vjelljen dhe ndjenjën e paqetësisë në pjesën e sipërme të barkut, sidomos pas ngrënies së një vakti të madh, pas ngrënies së shpejtë të ushqimit ose pas ngrënies së ushqimeve të pasura me yndyrna dhe erëza. Në shumicën e rasteve, gjendja e këtyre pacientëve përmirësohet me agjërimin e Ramazanit, por me kusht që të mos kenë ulçer akute në stomak apo në duoden, të mos kenë infeksion në ezofag si pasojë e një organi tjetër dhe me kusht që të eliminojnë teprimin në ngrënien e Iftarit dhe të Syfyrit.

c) Hernia e stomakut: ndodh veçanërisht te të shëndoshët dhe posaçërisht te gratë e moshës së mesme. Shumica e të sëmurëve me hernie në stomak nuk ankohen nga asnjë lloj simptome, por ndokush mund të ankohet nga djegia apo thartira në stomak, sidomos kur e mbush stomakun plot apo kur përkulet përpara apo shtrihet mbi bark, sa që një pjesë e përmbajtjes së stomakut kthehet në ezofag. Njerëzit mbipeshë duhet të përpiqen me çdo kusht të ulin peshën e tyre, dhe agjërimi është ilaçi më i mirë për ta. Këta pacientë këshillohen të hanë vakte të lehta në Iftar dhe në Syfyr, të lënë duhanin, të lënë distancë kohore prej katër orësh ndërmjet ngrënies dhe fjetjes. Në rast se agjërimi do ishte shumë i rëndë për pacientin dhe atij do i shtoheshin simptomat e sëmundjes, atëherë këshillohet që të mos agjërojë.

d) Diarreja: I sëmuri me diarre këshillohet të mos agjërojë, sidomos kur diarrea është e fortë. Ky i sëmurë nuk mundet të agjërojë sepse organizmi i tij nuk ka fuqi të zëvendësojë lëngjet dhe kripërat e humbura nga diarreja. Nëse i sëmuri me diarri agjëron, mund të preket nga tharja dhe rënia e tensionit të gjakut, ose mund të preket nga dështimi i veshkave.

e) Sëmundjet e mëlçisë: Të sëmurët me sëmundje të avancuara të mëlçisë si cirroza apo kanceri i mëlçisë, nuk këshillohet të agjërojnë. Po kështu, nuk këshillohet të agjërojnë të sëmurët me Hepatit Viral akut apo me hidropi.

f) Operimet në stomak: ata të sëmurë që kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale me heqjen e një pjese të stomakut apo prerjen e tij për shkak të ulçerës për shembull, këta kanë nevojë të konsumojnë vakte të vogla dhe të rregullta ushqimi, kështu që mund të mos munden të agjërojnë.

Marrë nga Mjekësia Bimore Arabe

Burimijetes.com

03.07.2015

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2021 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com

}); })(jQuery);