Pyetje: A kam të drejtë të fal namaz nëse gjatë abdesit pi duhan?
Përgjigje: Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Pirja e duhanit, pa dyshim që, është prej punëve të ndaluara në fenë e Allahut të Madhëruar, sepse dëmton shëndetin dhe Allahu i Madhëruar ka thënë: "Mos i hidhni vetet tuaja drejt shkatërrimit me duart tuaja."Po ashtu, sepse pirja e duhanit është shpërdorim i pasurisë dhe muslimani është ndaluar nga shpërdorimi i pasurisë dhe do të merret në përgjegjësi para Allahut për shpërdorimin e saj. Allahu i Madhëruar ka thënë: "Mos e shpërdor pasurinë tënde, sepse shpërdoruesit janë vëllezër të shejtanëve." Ndërsa Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Ditën e Gjykimit nuk do të luajnë këmbët e njeriut prej vendit të tyre derisa të pyetet... për pasurinë e tij, si e fitoi dhe ku e shpenzoi..." dhe të tjera arsye të cilat pirjen e duhanit e bëjnë të ndaluar në gjykimin e Sheriatit.
Duhet theksuar qe edhe për vete haramin vlera e gjynahet te tij varion nga koha dhe vendi, ku në një kohë apo në një vend gjynahu për atë haram është më i madh sesa në një tjetër kohë apo vend. Kështu që, edhe pirja e duhanit gjatë abdesit është gjynah më i madh sesa pirja e duhanit në kohë normale, sepse abdesi është adhurim dhe përzierja e adhurimit me kryerjen e haramit e bën gjynahun e kryerjes së këtij harami edhe më të madh e më të rëndë.
Ndërsa, për sa i përket prishjes së abdesit nëse gjatë tij pihet duhan apo jo, kjo ka të bëjë me shkëputjen që shkakton pirja e duhanit gjatë marrjes së abdesit, nëse shkëputja gjatë marrjes së abdesit është e konsiderueshme, si për shkak të pirjes së duhanit apo për çdo arsye tjetër që e bën njeriun të shkëpusë abdesin, atëherë abdesi i tij është i pavlefshëm dhe duhet filluar nga fillimi, në të kundërt, namazi i tij është i pavlefshëm. Shkëputja e konsiderueshme tek shumë prej dijetarëve të umetit është vlerësuar ajo shkëputje që sjell si rezultat tharjen e ndonjërës prej gjymtyrëve të cilën njeriu e ka larë për marrjen e abdesit. Nëse ndodh që gjatë shkëputjes për të pirë haramin njeriut i thahet njëra prej gjymtyrëve, atëherë abdesi i tij është i pavlefshëm e nëse falet me atë abdes të pavlefshëm edhe namazi i tij është i pavlefshëm.
Zoti na ruajt prej haramit dhe prej lojërave të shejtanit me muslimanët për t'ua përzierë adhurimet me harame dhe për t’i çuar në vesvese.
Ues-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Vëllai juaj Bilal Shkrepi
Burimijetes.com
24.03.2009