Me emrin e Allahut të Githëmëshirshmit Mëshiruesit
Esselamu alejkum ue rahmetullah !
Allahu me mirësitë, bekimet, paqen, mëshirën e Tij qoftë me ju!
Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve të Gjithëfuqishmit të Gjithëpushtetshmit , të vetmit që i takon adhurimi.
Bekimet, dëlirësia, begatitë e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e skicuar prej tij sa të jetë jeta.
E në vijim: e mora e-mail-in tuaj, në të cilin shkruhej:
"A eshte prej kushteve qe te pranohet namazi i xhumase, qe te jete ne shtet islam? Kurse ne shtete jo islame disa thone qe e falin edhe namazin e xhumase e poashtu ja bashkangjitin dreken, duke pretenduar se nese ''s'pranohet'' namazi xhumase ate e zevendson dreka..."
Përgjigja ime do të ishte:
Mendimi më i drejtë në lidhje me këtë çështje, pavarësisht konvergjencave në mendime të dijetarëve dhe shkollave juridike, është se kjo nuk është kusht, sepse një kusht i tillë s'është përmendur as në Kuran, as në Sunet, as në Ixhmain e sahabëve, të cilët janë shpërndarë dhe në vende ku s'kishte shtet islam e të parë, halifat, dhe e falnin xhumanë.
Nëse do të ecnim me këtë rregull, i bie që xhumaja të mos jetë e saktë e si pasojë pse duhet të falet ndërkohë që s'pranohet?!
Megjithatë, ajo që unë e di në këtë mesele është se kjo është një mesele karakteristike e medhhebit shafi, që është futur edhe në medhhebin hanefij më vonë dhe që është përkrahur nga shumë dijetarë të medhehbit, pavarësisht se është thënia e Ebu Jusufit, po me saktësi në medhheb si mendim është se lejohet. Për këtë shiko edhe "El bahr erraik fi kenzil hakaik", 2/154; ndërsa në "Fethul kadir", 2/53-54 mendimi më i saktë është se medhehebi e lejon.
Ka të tjerë në medhheb që e obligojnë. Për këtë ka dhe një prononcim tjetër në medhheb që bëhet për të dalë nga dyshimi.
Ajo që vihet re, në dukje, të gjithë e obligojnë ekzistencën e prijësit islam që zbaton Sheriatin, që i bie se po të zbatohej kjo pikë e medhhebit, shumica e vendeve islame të mos e kenë obligim xhumanë.
Ndërsa për përsëritjen e drekës pas xhumasë, në ato vende ku falen dy e më shumë, s'ka argument fetar, pavarësisht se është cituar nga disa dijetarë të medhhebit hanefij.
E rëndësishme është të theksojmë se është i saktë namazi i xhumasë në më shumë se dy xhami dhe se mund të bëhet në mungesë të udhëheqësit që zbaton ligjet.
Uallahu aelem!
Ahmed Kalaja
Burimi i Jetës
Publikimi i parë: 27.07.2009