All for Joomla All for Webmasters

Çfarë gjykimi ka Islami për varrosjen në kohë pandemie?

. Posted in FETVA.

Pin It
 
kufome
 

Pyetje: Çfarë gjykimi ka Islami për varrosjen në kohë pandemie, ku sot disa po futen në varr me qese plasmasi pa qefin, as të larë me gusul, as abdes, dhe as tejemum. Si veprohet në këto raste?

Përgjigje: Larja, qefinosja, falja e namazit të xhenazes dhe varrosja e të vdekurit mysliman janë farz kifajeh, që duhet  ta kryejë një grup myslimanësh dhe me këtë  lirohen nga përgjegjësia muslimanët e tjerë.

Në rrethana të veçanta siç është rasti i pandemisë se Covid-19,  e cila në bazë të ekzaminimeve mjekësore  të specialistëve përhapet me ritme të shpejta, duke rritur rrezikun e infektimit, dijetarët kanë sqaruar se larja, qefinosja, falja e xhenazes dhe varrosja duhen ndjekur me një renditje të përshkallëzuar, duke filluar me mënyrën më të kompletuar nëse është e mundur, e nëse jo, atëherë kalohet në alternativat e tjera lehtësuese islame, bazuar në ajetin e Kuranit: ”Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë së tij.”  Surja  Bekare, ajeti 286. Kjo duke patur gjithmonë parasysh rekomandimet e specialistëve të mjekësisë dhe vendimet e organeve kompetente.

Më poshtë po e sqarojmë në mënyrë më të detajuar.

Nëse është e mundur që i vdekuri për shkak të infektimit me Covid-19, të lahet pa u rrezikuar nga infektimi personat që e lajnë, duke marrë masat e duhura, siç janë veshjet dhe maskat e veçanta, dezinfektimi i vendit, pajisjeve që do përdoren gjatë larjes etj, atëherë bëhet larja e të vdekurit. Këtë obligim mund ta kryejnë edhe ekipet që punojnë në spitale, të cilët janë muslimanë dhe të kualifikuar nga ana profesionale për t’u ruajtur nga infektimi, të cilët i  njohin rregullat e larjes së xhenazes dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë në raste të tilla.

Nëse larja duke e prekur trupin e të vdekurit është e pamundur, për shkak të rrezikut të infektimit atëherë mund të lahet trupi i tij duke i hedhur ujë në distancë ose përmes mjeteve ndihmëse, që shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me të vdekurin.

Nëse edhe kjo nuk është e mundur, atēherë kalohet tek tejemumi, qoftë edhe duke mos e prekur fare të vdekurin, por duke marrë pak pluhur dheu me një rrobë, ose nëpërmjet dorezave apo çfarë do mjeti tjetër dhe me të fërkohet fytyra dhe duart e tij.

Nëse edhe kjo nuk është e mundur, atëherë ky obligim bie dhe myslimanët lirohen nga kjo përgjegjësi.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për qefinosjen. Nëse është e mundur që i vdekuri të qefinoset, duke marrë masat mbrojtëse dhe parandaluese nga infektimi, atëherë bëhet qefinosja e tij. Por nëse kjo nuk është e mundur, apo autoritetet e fusin të vdekurin në qese apo arkivol të mbyllur hermetikisht dhe nuk lejojnë hapjen e tyre, atëherë veprohet sipas udhëzimeve të tyre.

Falja e namazit të xhenazes për të vdekurit për shkak të infektimit nga Covid -19 do të bëhet sipas mundësisë. Nëse lejohet marrja e xhenazes dhe kryerja e faljes sipas procedurave normale, atëherë bëhet falja e  xhenazes në vendet përkatëse, siç u falet edhe të vdekurve të tjerë. Nëse kjo gjë nuk lejohet nga autoritetet, apo çohet menjeherë në varreza dhe nuk lejohet grumbullimi i shumë njerëzve së bashku, atëherë sipas mundësisë shkohet -qoftë edhe një numër i kufizuar njerëzish-dhe i falet namazi atje para se të varroset.

Këtë detyrim mund ta shlyejnë edhe një grup mjekësh muslimanë, duke ia falur namazin e xhenazes para se xhenazja të nxirret nga ambientet e spitalit për në varreza.

Në rast se autoritetet nuk ua japin fare mundësinë familjarëve për ta shoqëruar xhenazen, për t’i falur namazin apo për ta varrosur, dhe të vdekurit nuk i është falur fare namazi i xhenazes, siç mund të ndodhë në ndonjë vend joislam, atëherë kush ka mundësi nga familjarët, të afërmit, apo myslimanët,  mund të shkojnë tek varri i tij dhe t’i falin namazin e xhenazes. E nëse edhe kjo nuk është e mundur për shkak të ndalimit nga autoritetet apo për shkak të largësisë etj., atëherë i falet namazi i xhenazes në mungesë nga vendi ku gjendet.

Allahu i Madhëruar e di më së miri.

 
Komisioni i Pyetjeve dhe Përgjigjeve pranë LHSH-së
 
 
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2020 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com

}); })(jQuery);