Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmetohet nga Xhabir ibën Semura se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës kur dielli anonte (nga perëndimi, në mesditë)."
E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ibën Maxheh dhe Ebu Daudi.
Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Në ditët e dimrit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës dhe ne nuk e dinim nëse kishte kaluar pjesa më e madhe e ditës apo kishte mbetur pjesa më e madhe e saj." E transmeton Ahmedi.
Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Kur ishte nxehtë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin (e drekës) kur freskonte koha (e vononte deri sa të freskohej), ndërsa kur ishte ftohtë, e shpejtonte atë."
E transmeton Nesai. Ndërsa Buhariu transmeton hadith të përafërt me të.
Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kur shtohet nxehtësia e motit, prisni freskun për faljen e namazit (të drekës), sepse i nxehti i fortë është prej shfryrjes së xhehenemit."
E transmeton grupi.
Transmetohet nga Ebu Dheri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: "Ishim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një udhëtim dhe muezini deshi të thërriste ezanin e namazit të drekës, por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: -Prit të freskohet! –Më pas ai deshi të thërriste ezanin, por ai i tha përsëri: -Prit të freskohet! –Ndenjëm deri sa pamë hijet e pirgjeve të dheut të zmadhohen. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: -I nxehti i fortë është prej shfryrjes së xhehenemit, ndaj nëse bën nxehtë i madh, vonojeni namazin (e drekës) deri sa të freskohet koha (por pa hyrë koha e ikindisë)."
Muttefekun alejhi.
Në këtë hadith ka argument se pritja e freskut është më parësore se shkuarja në xhami për atë që e ka larg xhaminë, pasi që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi për vonimin e tij edhe pse ata ishin grumbulluar për faljen e tij.
Marrë nga libri "Muntek El Ahbar"
Burimijetes.com
19.05.2011