emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Shtirja në dorë (marrja) e mallit apo vlerës dhe zgjedhjet në shitblerje
Më sipër mësuam se shitblerja është zhvendosja e pronësisë së një malli apo pasurie nga shitësi tek blerësi. Zhvendosja e pronësisë arrihet menjëherë pas bërjes së kontratës për këtë shitblerje edhe nëse ajo (vlera apo malli) nuk zotërohet nga kontraktuesit.
P.sh: një tregtar i thotë dikujt: po ta shes makinën time për pesë milion (5000000) lekë, blerësi i thotë dakord. Kjo d.m.th: se pronësia e kësaj makine ka shkuar nga tregtari tek blerësi, edhe pse nuk është bërë ende kalimi i lishencës nga tregtari tek blerësi (pra nuk është regjistruar me emrin e blerësit), por nëse realizohet regjistrimi i makinës me emrin e blerësit, atëherë themi që në këtë rast ky person e posedon këtë makinë dhe e ka zotëruar.
Kështu që mund të themi se shtirja në dorë e një malli e lejon blerësin e saj ta përdorë atë si të dojë.
Kush janë dobitë e shtirjes në dorë të një malli?
Dobitë e shtirjes në dorë të një malli janë dy:
1. Lejimi i përdorimit të mallit nga blerësi si të dojë. Kështu themi se dikush nuk lejohet ta shesë diçka para se ta shtjerë në dorë atë. Argument për këtë janë:
a) Transmetohet nga Ibnu Umeri –Allahu qoftë i kënaqur me të! – se Profeti –paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!- ka thënë: "Nëse dikush blen një ushqim të mos e shesë atë pa e shtënë në dorë". Buhari / 2136 dhe Muslimi / 1526.
b) Hakim bin Hizam –Allahu qoftë i kënaqur me të!– një herë e ka pyetur Profetin –paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!-: “O i dërguar i Allahut, unë merrem me shitblerje, çfarë më lejohet prej saj dhe çfarë jo?” Ai ia ktheu: "O djalë i vëllait tim! Nëse blen diçka, mos e shit përpara se ta shtiesh në dorë atë". Ahmedi 3/204, Ibën Hibani 11/358 dhe hadithi është i saktë.
Urtësia e ndalimit nga një gjë e tillë është se tregtari nuk i ka shkëputur lidhjet ende me këtë mall, dhe ndodh që ai mund të mos ia dorëzojë atij mallit, në veçanti kur shikon se klienti i tij ka fituar mirë nga ky mall. Kështu që një gjë e tillë më pas çon në grindje, ndërsa sheriati ka qëllim të tijin: pengimin e shkaqeve të cilat çojnë në zënka dhe armiqësi midis muslimanëve.
2. Me shtirjen në dorë të një malli arrihet zhvendosja e përgjegjësisë nga tregtari tek blerësi, nëse një mall prishet pasi është bërë kontrata dhe para marrjes në dorë të tij, përgjegjësia e këtij malli është e shitësit sepse ajo akoma është në dorën e tij, vetëm nëse prishja e atij (mallit) shkaktohet nga blerësi.
Përjashtohet nga kjo që thamë rasti kur tregtari ia mundëson blerësit shtirjen në dorë (marrjen) të mallit, porse ai e anashkalon dhe nuk e merr atë. Nëse ky mall prishet apo skadon, përgjegjësia e tij kthehet te blerësi, sepse ai është treguar i pa kujdesshëm ndaj zotërimit të këtij malli.
Përgatiti: Bledar Haxhiu
Burimijetes.com
06.05.2008