All for Joomla All for Webmasters

Botë e një larmie të çuditshme

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

kenveshtrimNjë nga problemet me të cilat karakterizohet mënyra sesi njerëzit mendojnë dhe vlerësojnë të tjerët, idetë dhe qëndrimet e tyre, është pikërisht prirja për t'i thjeshtuar ato, për t'i parë ato bardhë e zi, apo për t'i paketuar sipas koncepteve, kallëpeve dhe perceptimeve pararendëse që gjithkush ka në mendje. Ndërkohë që asnjë njeri nuk e sheh veten e tij kaq thjeshtë, por dallon qartë në veten e tij edhe nuancat e grisë më të hollë, mes të bardhës dhe të zezës, por edhe ngjyrat e tjera krejt të ndryshme që ka krijuar Zoti.

Kjo nuk është diçka e re dhe as e papritur, janë keqkuptuar e keqinterpretuar, me qëllim ose jo, fjalët e Zotit dhe të profetëve, e jo më fjalët e njerëzve. Por ashtu siç për të njohur udhëzimin hyjnor të duhet të njohësh mirë korpusin e dijeve që e përbëjnë atë, ashtu edhe për të kuptuar drejt dikë të duhet të njohësh formimin, qëndrimet, parimet dhe bazat ku ai mbështetet. Gjithmonë, nëse një qëndrim apo mendim i tij nuk mund të kuptohet plotësisht apo qartësisht nga një rast i vetëm, por ka nevojë për një vështrim më të thellë në këtë drejtim. Përveç kësaj konteksti kohor, vendor e mjedisor, është tepër i rëndësishëm, për të kuptuar disa gjëra që nuk thuhen, por që vetëkuptohen pikërisht nga këto kontekste.

Natyrisht askush nga njerëzit nuk është i përkryer në artikulimin e tij, çdokush ka stilin dhe mënyrën e vetë të të shprehurit, por këto janë disa rregulla që vlejnë për çdo njeri dhe për çdo fushë të dijes, nëse kërkon të njohësh vërtetë realitetin dhe të vërtetën. Ah, nëse dikush thjesht kërkon të kritikoj apo sulmoj dikë, që për më tepër nuk ndan të njëjtat mendime dhe qëndrime me të, kjo është gjëja më lehtë për të bërë. Mjafton të peshkosh edhe një fjalë të vetme apo ta nxjerrësh një fjali nga konteksti i përgjithshëm, apo t'i japësh rëndësi një çështje dytësore dhe të lësh ato themelore dhe synimi “i peshkimit” përmbushet.

Çdo njeri prej nesh ka “syzet” e tij me të cilat i sheh gjërat në jetë, por sa më transparente, sa më pak ngjyrë, sa më numër të vogël të kenë, aq më mirë është për të kuptuar drejt të tjerët dhe realitetin që gjykojmë.

Por në fund të fundit, kjo është edhe një nga bukuritë dhe çuditë e botës sonë, që na dëshmon qartazi se pse ka nevojë për një Ditë të Madhe, Dita e së Vërtetës, atë ditë në të cilën do të bien të gjitha syzet, perdet e ngjyrimet, dhe njeriu do të vështrojë realitetin e gjërave në vërtetësinë e tyre të plotë. Përmes keqkuptimeve, keqinterpretimeve, thjeshtëzimeve dhe ngjyrimeve të pasakta, Krijuesi na dëshmon në këtë botë për nevojën e domosdoshme të ekzistencës së Ditës së Gjykimit.

Burimi: Fb i H. Justinian Topullit

20.03.2021

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2020 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com

}); })(jQuery);