Përgatitja e vetes dhe veprave për pritjen e muajit Ramazan.
Hapi i parë: Pendimi i sinqertë.
Pendimi është detyrë në çdo kohë, por meqenëse ky muaj i paraprin një muaji të madh, njeriu duhet të shpejtojë në kërkimin e faljes, për atë çfarë ka ndërmjet tij dhe Allahut prej gjynaheve dhe për atë çfarë ka ndërmjet tij dhe njerëzve prej të drejtave të tyre. Dhe kjo për të hyrë në muajin e Ramazanit me zemër të pastruar e të qetë dhe për t'u angazhuar me adhurimet dhe bindjet ndaj Allahut.
Allahu i Lartësuar thotë: "Të gjithë ju o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, në mënyrë që të arrini shpëtimin!” En-Nur, 31.
Profeti ﷺka thënë: "O ju njerëz, pendohuni tek Allahu, vërtetë unë pendohem tek Ai njëqind herë në ditë" ( Muslimi, 2702)
Hapi i dytë: Lutja.
Është transmetuar se disa prej selefëve i luteshin Allahut, gjashtë muaj para se të vinte muaji Ramazan: "O Zot, na e bëj të mundur agjërimin e muajit Ramazan!" dhe gjashtë muaj pas Ramazanit thoshin: “O Zot, na i prano punët që kemi bërë në Ramazan!"
Prandaj muslimani e lut Zotin e tij që ta arrijë muajin e Ramazanit dhe ai të jetë mirë në fenë e tij dhe shëndetin e tij. Gjithashtu ta lusë Allahun që ta ndihmojë në adhurimin e në bindjen ndaj Tij dhe t'ia pranojë veprat e mira.
Hapi i tretë: Të gëzohet me afrimin e këtij muaji madhështor.
Arritja e muajit Ramazan është prej mirësive më të mëdha të Allahut, për robin musliman.
Muaji Ramazan është prej muajve dhe kohëve të mirësisë, në të cilin hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit. Ai është muaji i Kuranit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë." Junus, 58.
Profeti alejhi selam i përgëzonte shokët e tij me ardhjen e muajit Ramazan. "Ju erdhi juve Ramazani, muaji i begatë. Allahu jua ka bërë obligim agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, prangosen shejtanët. Në të ka një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Kush privohet nga kjo mirësi, vërtetë është privuar."
Hapi i katërt: Plotësimi i agjërimit farz, që të ka ngelur pa e kryer nga Ramazani i kaluar.
"Transmetohet nga Ebi Seleme se ka thënë: "Kam dëgjuar Aishen -Allahu qoftë i kënaqur prej saj!- se ka thënë: "Më kishin ngelur pa i plotësuar disa ditë agjërimi të Ramazanit, nuk munda t’i plotësoja ato vetëm se në muajin Shaban."(Buhariu)
Hapi i pestë: Pajisja me dituri rreth rregullave të agjërimit dhe njohjes së mirësive të tij.
Hapi i gjashtë: Shpejtimi për kryerjen e disa prej punëve, të cilat e pengojnë muslimanin ndaj adhurimeve në Ramazan.
Hapi i shtatë: Qëndrimi me pjesëtarët e familjes, për t'ua mësuar rregullat e agjërimit dhe nxitja e të vegjëlve për agjërim.
Shejh Ibn Uthejmini thotë: "Angazhoni fëmijët tuaj që të agjërojnë (meshkujt dhe femrat) nëse ata kanë fuqi për agjërim, me qëllim që të mësohen me të. Sahabët i kanë pas angazhuar fëmijët e tyre që të agjëronin kur ata ishin të vegjël, madje derisa fëmija ndoshta qante nga uria e atëherë i jepnin atij një lodër, që të argëtohej më të derisa të çelnin agjërimin. Ndërsa shpërblimi i agjërimit është për vetë fëmijët, prindërit apo kujdestarët kanë shpërblimin e edukimit dhe të drejtimit të tyre."
Hapi i tetë: Agjërimi në muajin Shaban është parapërgatitje për agjërimin e Ramazanit
Transmetohet nga Aishja -Allahu qoftë i kënaqur prej saj!- se ka thënë: "Profeti agjëronte aq shumë, derisa thoshim se nuk ka për ta ndërprerë dhe e ndërpriste për një kohë, derisa thoshim se nuk ka për të agjëruar. Nuk e kam parë Profetin të plotësojë agjërimin e ndonjë muaji, përveçse Ramazanin dhe nuk e kam parë me më shumë agjërim, sesa në Shaban."(Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu, prej dobive të agjërimit në muajin Shaban, është praktikimi dhe trajnimi i trupit për agjërimin e Ramazanit. Kjo në mënyrë që mos të ndjejë vështirësi në agjërimin e tij, por të jetë i stërvitur me agjërimin, që kur të hyjë në Ramazan të jetë i zellshëm dhe aktiv.
Hapi i nëntë: Shtimi i veprave të mira në muajin Shaban.
Si leximi i Kuranit, falja e namazit të natës, dhënia e lëmoshës, agjërimi... e të tjera te ngjashme me to.
Tregohet se Hasan Bin Ebi Thabit, kur hynte muaji Shaban thoshte: "Ky muaj është muaji i lexuesve të Kuranit."
Amru Bin Kajs El-Melai kur hynte muaji i Shabanit shtonte leximin e Kuranit, ndërpriste tregtinë e tij, përqendrohej në leximin e Kuranit dhe thoshte: "Përgëzoji ata që përmirësojnë vetet e tyre para se të takohen me muajin Ramazan."
Hapi i dhjetë: Përmirësimi dhe rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet njëri-tjetrit.
"Prandaj frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet ndërmjet jush dhe binduni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë."(El -Enfal, 1)
Kush e dëgjon dhe i kushton vëmendje të madhe këtij ajeti, duhet patjetër që t'i përgjigjet dhe t'i bindet Zotit të tij dhe të Dërguarit të Tij.
Plotësimi i kësaj i jep gjerësi muslimanit për të rregulluar, për të përmirësuar, për të falur me: farefisin e tij, me shoqërinë, me komshinjtë, me punën dhe muslimanët në përgjithësi.
Hapi i njëmbëdhjetë: Mbajtja e lidhjeve farefisnore.
Nëse feja jonë na urdhëron dhe na fton për këtë në të gjitha kohët, në muajin Ramazan është më e dobishme, më e vlefshme dhe me më shumë shpërblim në këtë mirësi.
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kijeni frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni dhe ruajeni farefisin”
Transmeton Ebu Hurerja -Allahu qoftë i kënaqur prej tij!- i cili thotë: Kam dëgjuar Profetin alejhi selam duke thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le të respektojë farefisin.”
Ndërsa për ata që i largohen besimit, Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t'i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin." El-Enfal, 22-23.
Hapi i dymbëdhjetë: Hapja e një faqeje të re.
Derisa akoma kemi shpirtin në trupin tonë, kemi edhe mundësinë për përmirësim. Për këtë muslimani nuk duhet ta ngushtojë veten e tij prej gabimeve të kaluara dhe as për çfarë i ka kaluar dje, por atij i duhet përmirësimi i vetes, meqenëse ekziston akoma mundësia për një gjë të tillë.
Ramazani, myslimanit, i jep mundësinë për të filluar një faqe të re, të bardhë, të pastër, të kulluar, me Allahun në radhë të parë, pastaj me veten e tij, pastaj me familjen e tij, pastaj me njerëzit që e rrethojnë.....etj. Sepse Ramazani është muaji i faljes, i pendimit dhe i mëshirës.
Hapi i trembëdhjetë: Bërja e një programi ditor për muajin Ramazan.
Dhe kjo për të përfituar nga mirësitë e Ramazanit dhe për të arritur realisht qëllimin e këtij programi ditor. Në këtë program shënon:
1. Bindjen ndaj Allahut...
2. Kryerjen e të gjitha obligimeve...
3. Leximin e Kuranit.
4. Kryerjen e suneteve...
5. Forcimin e qëndrueshmërisë në fe...
6. Durimin ndaj vështirësive që dalin përpara...
7. Largimin nga çdo gjë që e zemëron Allahun dhe të Dërguarin e Tij...
8. Leximin e Kuranit, faljen e namazit të natës, bamirësitë...
9. I vë detyrë vetes për zbatimin e këtij programi.
Përshtati: S. Kuburi
Burimi Jetes
21.05.2016