All for Joomla All for Webmasters

Mosshlyerja e detyrimit në kohë

. Posted in Hadithe me komente.

Pin It

borxhiBuhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Zvarritja prej atij që ka mundësi është padrejtësi, e nëse ndonjëri prej jush përcillet tek dikush tjetër që e ka mundësinë, le të shkojë.”

Referencat e hadithit:

Hadithin e ka shënuar Buhariu në kapitullin e Havales- “Përcjelljes së borxhit” fq. 542, vol. I, 2287.

Gjithashtu hadithin e ka shënuar Muslimi në kapitullin e Musakasë “Ortakëria në të ardhurat e tokës dhe pemëve”, tema e ndalimit të zvarritjes së borxhdhënësit dhe lejimit të përcjelljes së borxhit.

Kuptimi i hadihtit:

Thënia e Profetit a.s. “Zvarritja prej atij që ka mundësi është padrejtësi” do të thotë mos-shlyerja e detyrimit në kohën e shlyerjes së tij. Në këtë mënyrë zvarritja e shlyerjes së borxhit dhe kthimit të tij tek i zoti është padrejtësi dhe haram, sikurse nga ana tjerër, zvarritja e shlyerjes së borxhit nga dikush që nuk ka mundësi që ta shlyeje atë është e lejuar për shkak se vonesa e tij është e justifikuar, sipas asaj që kuptohet nga hadithi.

Të tjerë janë shprehur, se hadithi tregon për qëndrimin e mbajtur nga mez’hebi maliki, ai shafi dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve, se borxhliu që gjendet në vështirësi nuk lejohet të mbahet i burgosur dhe as t’i kërkohet borxhi deri në momentin, që të ketë mundësi për ta shlyer atë.

Fjala e Profetit a.s.: “…e nëse ndonjëri prej jush përcillet tek dikush tjetër që e ka mundësinë, le të shkojë”,- do të thotë nëse borxhliu e përcjell të zotin e borxhit tek dikush tjetër që ka mundësi ta shlyej në vend të borxhliut, atëherë le të shkojë tek ai për të marrë borxhin e vet.

Çfaqë qëndrimi mbahet për dikë që e vonon qëllimisht shlyerjen e borxhit?

Dijetarët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, në lidhje me faktin nëse ai që nuk e shlyen borxhin qëllimisht bën gjynah të madh apo jo?

  • Pjesa dërrmuese e dijetarëve janë të mendimit se borxhliu që vonin qëllimisht shlyerjen e borxhit është fasik (i prishur), por a mund të konsiderohet i tillë nëse borxhi i kërkohet vetëm një herë?

Imam Neveviu thotë: “Medh’hebi i shafive e kushtëzon përsëritjen e kërkesës. Nëse borxhliu e zvarrit shlyerjen e borxhir për të disatën herë, atëherë vërtetohet fakti që ai është një njeri i prishur.”

Disa ndjekës të mez’hebit shafi nuk e kanë pranuar këtë mendim duke u argumentuar se privimi i tjetrit nga një e drejtë pasi ta ketë kërkuar atë dhe nxjerrja e justifikimeve në mënyrë artificiale është e njëjtë me përvetësimin e pronësisë së tjetrit me dhunë (kusari), vepër e cila është prej gjynaheve të mëdha. Gjithashtu përshkrimi i zvarritjes së shlyerjes së borxhit me emërtimin “padrejtësi” të jep të kuptosh, se ke të bësh me një gjynah të madh, dhe se nuk është kusht që kërkesa të përsëritet.

Por a konsiderohet ai që e zvarrit shlyerjen e borxhit si njeri i prishur përpara se i zoti i borxhit (borxhdhënësi) t’ia kërkoje shlyerjen e tij? D.m.th. përpara se të mbarojë afati i borxhit?

Hadithi të jep të kuptsoh se bëhet fjalë për zvarritjen e shlyerjes së borxhit pas kërkesës nga borxhdhënësi.

Çfarë mund të përfitojmë prej këtij hadithi:

  • Hadithi kritikon zvarritjen e shlyerjes së borxhit e quan atë padrejtësi.
  • Borxhliu i pamundur nuk përfshihet në këtë padrejtësi.
  • Borxhliu në vështirësi nuk burgoset dhe nuk i kërkohet shlyerja e borxhit derisa t’i jepet mundësia për ta shlyer dhe kjo është një nga vlerat e larta të Islamit si fe tolerante.
  • Hadithi është argument se borxhliut zvarritës mund t’i kërkohet shlyerja e borxhit vazhdimisht, se mund të detyrohet për ta bërë këtë dhe se duhet të vazhdohet përpjekja për marrjen e të drejtës me të gjitha rrugët, madje edhe me forcë.
  • Hadithi orienton drejt braktisjes së atyre shkaqeve, që çojnë tek prishja e zemrave, sepse e kritikon zvarritjen e borxhit, i cili është një nga shkaktarët e prishjes së zemrave.
  • Hadithi nxit për ndjekjen e etikës dhe sjelljes së mirë, kur e urdhëron borxhliun, që të shlyejë borxhin në mënyrën më të mirë dhe borxhmarrësin, që të ndjekë orientimet profetike.

 H. Genc Plumbi

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2020 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com

}); })(jQuery);